Rreth Mirditës

rubik-bellMirdita, për shumëkush, ­është ende një mister. Kjo pjesë e Shqipërisë mbart një pasuri traditash arkeologjike, etnografike, gjuhësore dhe folklorike shumë të vyer, por ende pak të njohur nga publiku i gjerë. Karakteri i pavarur i popullsisë  ka mundësuar, ndër shekuj, ruajtjen e disa prej traditave më të hershme të Veriut të Shqipërisë. Tradita që ndërthurin elementë të ndryshëm që karakterizojnë historinë e këtyre trevave, nga parahistoria dhe kultet pagane të diellit dhe hënës, tek rrënojat ilire, nga  kullat mesjetare dhe periudhës së autonomisë de facto brenda Perandorisë Osmane, për të përfunduar në trashëgiminë industriale të periudhës socialiste, si dhe në disidencën ndaj regjimit në qelitë e burgut famëkeq të Spaçit. Mirdita e përshkruar në vargjet plot dashuri dhe guxim rilindës të Imzot Preng Doçit, por që traditën e saj e ka skalitur edhe në gur, si në rastin e mbishkrimit të Arbrit (shek. XII).

Mirdita dhe afro dyqind e ca kishat qe janë ndërtuar historikisht në territorin e saj, kuvendet françeskane dhe benidiktine që kanë përfaqësuar një vatër të rëndësishme të identitetit katolik shqiptar, si dhe të artit të shkrirë në ndërtimin e tyre.

 

Natura “e gjallë” e Mirditës

Flora: Mirdita ka një pasuri të rrallë në bimësi, e panjohur në trevat e tjera shqiptare, por edhe në Ballkan. Rrapi i famshëm i Kaçinarit është thjesht ekzemplari më i njohur dhe tashmë legjendar, por shembujt nuk mungojnë. Botanistë serioz dhe të njohur në Evropë, si italiani Antonio Baldacci, kanë eksploruar territorin e virgjër mirditorë, duke zbuluar bimë më parë të panjohura si Boshtrra (Forsythia Europea Degan et Baldacci) dhe Volfenja (Volfenja Baldacci). Variacioni i florës është shumë i pasur: gjenden shkurre si mareja, shqopa, dëllinja, shelga, plepi, dushqet si bliri, frashëri, gështenja. Nuk mungojnë pishat, bredhat, rrobujt etj.

Screen Shot 2015-11-18 at 01.56.59

Jo në pak raste, kemi të bëjmë me kultin e vegjetacionit, aty ku pemë, bimësi ose gjallesa adhurohen vetvetiu si objekte kulti, duke u shndërruar në vendbanim të krijesave mitike si Orët, Zanat etj.

Në një lokalitet të Oroshit, Krue i zi, emër që ka të bej me një burim (Kroi i Zi), thuhet që para 150 vitesh nuk kishte asgjë përveç disa shkurreve. Në ato shkurre u veçua një dru i holle, dhe u ruajt që të mos dëmtohej. Bagëtitë e plehëronin vazhdimisht, dhe lagështira e burimit beri të vetën. Në disa dhjetëra vjet, ajo fillëz u shndërrua në një lis gjigand, saqë hija e tij u bë vend pushimi për njerëz dhe bagëti. U quajt “Lisi ku pushojnë Orët”, ose  “Lisi i Orëve”.  Ky lis ekziston dhe sot. Degët e thara nuk i priten kurrë, paçka që gjithë pylli përreth shfrytëzohet në mënyrë intensive. Mrizi është vend pushim i rëndësishëm për njerëz dhe bagëti, vend strategjik dhe jetik për jetën e popullsisë që banojnë ato zona malore. Tradita e Lisave dhe Oreve gjen rrënjën e saj në kultet e hershme pagane, por disa nga këto pemë janë të lidhura edhe me fenë myslimane dhe të krishtere.

“Lisi i Bardhë” në Qarishtat e Mirditës është quajtur si një pemë e shenjtë nga banorët, për hir të gjetheve ngjyrë qumështi. Legjenda thotë se aty gjenden eshtrat e Shën Aleksandrit, për disa të Shën Gjonit (toponim i shpeshtë ky në luginën e Shpatit Malor të Legjinit: Shën Gjon, Kroi i Gjonit etj.). Gjithsesi duket që këto kulte burojnë nga një sustrat i përbashkët pagan.

Çinari, përndryshe Rrapi i Kaçinarit, është një dru natyror monumental, me një moshë të papërcaktuar, por natyrisht mjaft i hershëm, aq sa besohet se dhe emri i lokalitetit ku ka vënë rrënjët madhështore rrjedh prej tij. Kaçinari është i dëshmuar si emër që në shekullin XV. Në afërsi të çinarit është kisha, ndoshta po aq e vjetër. Në hijen e rrapit janë zhvilluar kuvende historike të zonës, si ato të periudhës së pavarësisë, ku mes krerëve të Mirditës është fiksuar në fotografi dhe Bajram Curri. Rrapi gjigand është i vetmi i atij lloji, jo vetëm në Kaçinar. Si i tillë ai është një monument natyre i rrallë.

Lisat e Marpepës: Kanë qenë, siç thuhet, 12 lisa në një kodrinë në bregun e Fanit të vogël, buzë xhadesë që shkon në Mashtërkor dhe degëzimit për në Grykë Orosh.

Prej kohësh numri i lisave ka rënë, por nuk është prerë asnjë prej tyre më vonë, si një vetëdije e banorëve për rëndësinë si monumente natyre të Lisave të Marpepës. Gjurmë të hershme të historisë flenë në rrënjët e tyre. Gjurmët e Mirditës së vjetër dhe të kishave të përmendura në mesjetë, si ajo e Shën Kollit, janë dëshmi të një vendbanimi të zhvilluar në kohë të hershme.

Ultinjtë e Nënshejtit : Edhe sot e kësaj dite në Shkallën e Malit të Shejtit, në Orosh, gjendet një lis disi i veçantë me emrin Ulti. Sipas gojëdhënës kanë qenë 6 të tillë, por vetëm 2 kanë mbijetuar në udhën e gjatë të jetës së tyre. Njëri duket disi i dorëzuar, ka mbetur vetëm trungu i kalbur, ndërsa tjetri është ende në këmbë, megjithëse me plagë shekullore në trup.  Mosha e tyre llogaritet rreth 900 vjeçare dhe kjo nuk është ndonjë çudi, pasi njihet jetëgjatësia e këtyre drurëve. Mosha e tyre mund të merret dhe si një dëshmi e themelimit të Kuvendit Benediktin mbi Malin e Shejtit. Këto ishin fidanë të sjellë nga Italia prej murgjve benediktinë, vend prej të cilit kanë marrë dhe emrin, për banorët vendas, si shtrembërim i emrit latin.

Fauna: Pyjet e dendura dhe relievi malor, përbejnë një strehë ideale për faunën e Mirditës. Janë të pranishëm një seri shpendësh si qyqja, korbi, bilbili, mëllenja, deri tek kafshët e mëdha si derri i egër, kaprolli, ujku, dhelpra, madje edhe ariu i murrmë. Në Gurin e Shqipes, (Mali i Shejtit) gjejnë folenë e tyre shqiponjat krenare, simbol i kombit shqiptar. Mali i Munellës (1991 m) është edhe habitati i një prej specieve me të rralla në Evropë, siç është rrëqebulli. Prania e këtij felini të madh është konfirmuar në vitin 2011 nga fotografitë e bëra me telekamera fikse, që dëshmojnë vlerat vërtet të mëdha të kësaj zone në aspektin e faunës, ndoshta me larminë më të spikatur në vend, të paktën për sa i përket gjitarëve te mëdhenj.

Screen Shot 2015-11-18 at 01.58.43

Ujëra dhe burime : Mirdita është vend me pasuri ujore të admirueshme, të dukshme dhe të padukshme, që humbasin në burimet nëntokësore dhe në shpellat e shumta të zonës.

Pjesa më e madhe e shpellave, për besimet popullore në Malësi, ishin vende ku banonin përbindësha, qenie të ndryshme mitike, siç janë Kuçedrat, Orët, Zanat.

Në besimet popullore tregohet edhe vrimat prej nga burojnë disa gurra me ujë të shumtë. Gurra e Domgjonit (Fand), sipas besimeve popullore ka si fillim të saj një liqen të madh, poshtë Munellës e aty, në atë liqen-shpellë të nëntokës, thuhet se fle përjetësisht një Kuçedër e madhe. Në Fang, pranë Rubikut, ka një gurrë që shpesh herë nxjerr ujë shumë të turbullt. Në popull besohej se thellë në tokë, nën Kulme, një shpellë  është shtëpia e një tjetër qenie madhështore, një Kulshedër dhe ujët e turbullt ishte urina e Kulshedrës. Megjithëse zakonisht uji i kësaj gurre ishte shumë i mirë për tu përdorur, populli besonte se atë e ka helmuar Kulshedra e pra aty deri vonë nuk merrej ujë për të pirë.

Në brendësi të tokës: Thesaret speleologjike :Edhe pse spelologjia nuk është ende shumë e përhapur në Shqipëri, shpella si ajo e Pëllumbasit, ose ato të shumta që karakterizojnë gadishullin e Karaburunit nuk kanë asgjë më pak se shpellat më të njohura në Evropë.

Edhe rajoni i Mirditës ka një pasuri të tillë, madje aq të pasur aq sa shumë pak e studiuar dhe ende totalisht e pashfrytëzuar si destinacion turistik. Kompleksi ndoshta më interesant është ai i shpellave të Valit, të njohura edhe si shpellat e Këputës. Flitet për një shpellë që ndodhet në lokalitetin Kthellë, rreth 8 kilometra në juglindje të Rrëshenit. Kompleksi kap një lartësi që arrin 1300-1500 metra katrorë. Mendohet që shpella, dimensionet e eksploruara të së cilës arrinë rreth 150 metra, të ketë një lidhje me një simotrën e saj që ndodhet rreth 6 kilometra në juglindje, Shpellën e Nezirit, falë një labirinti tunelesh akoma të paeksploruara tërësisht, që duke parë repertet arkeologjike të gjetura mund të zbulojnë disa kapituj ende të pashkruar të historisë të fiseve që kanë banuar këto treva ndër mijëvjecarë.  Një tjetër shpellë interesante është ajo e Doçit, e njohur edhe si shpella e  Mërkurthit, në afërsi të Malit të Shejtit, ose shpella e Akullit në afërsi të Oroshit.  Për shumë nga këto shpella, nuk mungojnë gojëdhenat.  Zona përreth lokalitetit Xhuxhe, përshembull, është e pasur me të tilla.Thuhet se  Shpella e Cicokëve kalon nën Gurin e Nuses, dhe legjenda thotë që  dihen njerëz që e kanë përshkuar me ditë para se të shihnin dritën e diellit në Arrën, lokalitet që i përket sot Kukësit.

Gurët e Mirditës

Murana : Ende sot, nëpër rrugët e Mirditës, dhe në pika strategjike të saj, mund të vërehen grumbuj të vegjël gurësh, të paprekura ndër vite. Këto grumbuj (murana) sinjalizojnë vendin ku është vrarë një njeri. Sipas traditës së malit, gjaku i të vrarit mbulohet me disa gurë që nga ai moment bëhen të paprekshëm nga popullsia. Madje fëmijët mirditorë nuk e kanë zakon të luajnë me grumbuj gurësh, në mënyrë që të mos ketë dyshime mbi kuptimin e këtyre grumbujve. Gjithsesi, tradita pranon që kalimtari i rastit të hedh në muranë një gur të vogël “për kushtim”, për të mirën dhe respektin ndaj të vdekurit. Përtej respektit për të vdekurin, hedhja e gurit sipas etnologëve ka edhe një shpjegim që rrënjët e veta i ka në parahistori.  Studiuesit thonë se kjo bëhej për të rritur e forcuar malin dhe me kultin e diellit. Disa nga këto murana qëndrojnë ndër shekuj në heshtjen e tyre, për ti treguar popullsisë dhe vizitorëve të kësaj zone dikur të fshehur të Shqipërisë, historinë e vështirë të kësaj krahine.

Beja me gur : Në doket e malësisë,  gurit si shenjë besimi në be i jepet një vlerë e jashtëzakonshme. Flitet për një  kult mjaft të hershëm, dhe shpesh herë ka vlerë më të fortë se librat e shenjtë si Bibla dhe Kurani, më e fortë se gjithçka tjetër. Përpara besës me hur, të gjithë bindeshin, të gjithë ja kishin frikën.

Kur donin të veçonin ndonjërin për ligësitë e tij, malësorët e komunitetit kishin zakonin të betoheshin mbi gurë dhe t’ia kalonin njeri tjetrit duke u betuar. Edhe ndarja e pronës, e kullotave etj, bëhesh zakonisht mbi një gur.

Në Bukmirë të Mirditës, njihet toponimi 12 Gurët e Barive, si vend tradicionalisht i përdorur si kullotë. Dymbëdhjetë gurët përcaktonin 12 fiset e Oroshit, dhe të drejtat e tyre për shfrytëzimin e kullotës nga barinjtë e çdo fisi. Tashmë zona nuk ka një funksion të tillë, por  gurët mbeten gjithmonë si shenjë e një tradite të lashtë, ashtu siç i lashtë mbetet simbolizmi i numrit ‘12’.

Kostumet, orenditë dhe festat

Veshjet: Mirdita është një nga krahinat më të pasura për sa i përket veshjeve tradicionale. Këto veshje mbartin historinë e lashtë mirditore, dhe shpesh herë studiohen për simbolikën e pasur, që jo rrallë buron nga kultet pagane të diellit, hënës dhe figurave të tjera mitike si gjarpri, kuçedra, zanat etj. Shpesh herë këto simbole mitike janë shndërruar ndër shekuj nën prizmën e krishtërimit. Shijet estetike të përdorura për zbukurim, por edhe mënyra e stilimit janë ato që pasqyrojnë veçanti etnike. I gjithë zhvillimi i veshjeve, është i lidhur ngushtë me historinë e zhvillimit te kjo popullsi, për pasojë edhe me historinë  e popullit shqiptar.

Në kohën e formimit të principatave feudale, filluan të marrin pamjen e tyre edhe veshjet popullore. Siç dihet këto principata ishin të ndara e të mbyllura në vetvete, çka bëri të krijohen dallime të ndjeshme edhe në kulturën materiale e shpirtërore. Në këtë kontekst u krijua edhe ajo larmi e pasurisë së  kostumeve popullore, gjurmët e të cilave u ruajtën deri në shek. XX.

Pjesën më të madhe të veshjeve masat e gjera fshatare i përgatisnin brenda ekonomisë familjare, pra të endura e të qepura me pëlhura liri, leshi, pambuku e më pak prej mëndafshi. Ndërsa në qytet një pjesë e mirë e veshjeve qepeshin e qëndiseshin nga mjeshtrit rrobaqepës e qëndistare të specializuar sipas shijeve e kërkesave të ndryshme të popullsisë.

Koleksionet muzeale për veshjet popullore shqiptare kanë filluar të krijohen mbas  Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj periudhe kanë ekzistuar koleksione të vogla private, të grumbulluara kryesisht nga priftërinjtë françeskanë (rreth 300 objekte). Aktualisht në fondet muzeale të Institutit të Kulturës Popullore ruhen mbi 18 mijë pjesë veshjesh të marra nga krahina të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Veshja më këmishë të gjatë dhe përparje:  Pjesë kryesore e kësaj veshje është këmisha e gjatë, me mëngë të gjata, të gjëra ose të ngushta. Në mes ajo shtrëngohej nga një brez leshi me ngjyra të ndryshme dhe shoqërohej në pjesën e përparme nga një përparëse e leshtë ose e pambuktë me madhësi e zbukurime që ndryshonin nga njëra krahinë në tjetrën.
Në stinën e verës, në pjesën e sipërme gruaja e veshur me këtë këmishë mbante një jelek, kurse në dimër sipër tij shtohej edhe një mintan me mëngë të gjata si dhe një xhokë prej shajaku. Gjatësia, ngjyra dhe zbukurimi i xhokës ndryshonte veçanërisht nga pozita gjeografike apo zhvillimi i krahinave ku mbahej kjo veshje, duke krijuar kështu veçori të shumta lokale. Kjo veshje qe e përhapur në Mirditë, Dibër, Mat, Shpat, Çermenikë, Dumre, Myzeqe, Berat, Korçë, Kolonjë, Gjirokastër, Sarandë. etj.

Veshja me këmishë të gjatë e dollamë (ose cibun) : Pjesët më të rëndësishme të kësaj veshje për burra janë; këmisha me ngjyrë të bardhë si dhe dollama ose cibuni i gjatë prej shajaku. Në stinën e verës, në vend të dollamës vishej një lloj xhamadani prej shajaku. Nën këmishë visheshin mbathje të gjata të shoqëruara me këllçinjë. Dollama apo cibuni paraqitet me disa ndryshime sipas zonave. Diku ishte e gjatë deri mbi gju, diku tjetër deri në pulpët e këmbës. Diku me ngjyrë të bardhë dhe e zbukuruar me gajtana të zi, e diku me ngjyrë të zezë. Kjo  veshje është përdorur në Mirditë, Mat, në Dibër, në Malësi të Madhe, në Korçë, Kolonjë, Gjirokastër etj. Pas Luftës II Botërore kjo tipologji veshje u zëvendësua me veshjen me tirç. Dollama vazhdoi të mbahet si veshje ceremoniale e veshur mbi tirç ose përdorej në raste kuvendesh.

Festa e Shën Rrokut në Orosh (15 gusht) : Në Orosh, një nga festat tradicionale që kremtohen çdo vit është ajo e Shën Rrokut, sidomos në lagjen Zajsë. Çdo vit njëra nga shtëpitë e kësaj lagje merr përsipër organizimin e festës, dhe fton pjesëtaret e shtëpive të tjera në kremtim (një ose dy për çdo shtëpi).  Relativisht për mundësitë, shpenzimet janë të mëdha, theren disa bagëti duke rënduar  shpesh herë ekonominë familjare të shtëpisë organizuese. Por mos kremtimi, sipas besimit lokal, do të sillte fatkeqësi të mëdha në shëndet dhe mungesë “bereqeti” gjatë gjithë vitit.

Festa të tjera : Festa si kjo e Shën Rrokut, Shën Gjergjit, Shën Nikollit etj. gjejnë burimin e tyre në festat e hershme që kujtonin të parët e fisit. Të parët e lashtë të fisit në versionin e krishtërizuar janë shenjtër pajtorë të fisit a të zonës ku kremtohet. Gjatë natës ndizet një qiri në kujtim të Shën Rrokut, apo të shenjtit në fjalë, shpesh herë dritaret e sht­ëpisë lihen hapur dhe shtrohen pjata edhe n­ë vendet bosh, në mënyrë që shpirtrat e shenjtorëve të hyjnë dhe darkojnë bashkë me familjet.

Në fillimet e majit, zakonisht të dielën e parë të muajit, në fshatrat Bardhaj, Lufaj dhe Zajs festohet festa e Shna Krygjas (Shllezdër).

Një tjetër festë shumë e ndjekur është ajo e Tshelbuemet, që bie më 21 maj, që festohet sidomos në Rubik, Fang, Kurbnesh, si dhe në disa fshatra përreth.

E thjeshtë dhe e shijshme: gastronomia mirditore

Kuzhina mirditore ndikohet padyshim nga tradita veriore e gatimit, aty ku recetat  e thjeshta gërshetohen më së miri me prodhimet e freskëta dhe bio. Bulmeti, mishi i kecit, i derrit, lakra, gështenjat, byreku, janë të pranishëm në përditshmërinë e familjeve mirditore.

Byreku me arra ose me qumësht është një hapje e shijshme e sofrës mirditore, ashtu si byreku “me sheqer” një mbyllje plot ëmbëlsi (por  edhe tradicionale  në  raste festash), që në dimër shpesh herë zëvendësohet me gështenja dhe një gotë verë të kuqe nga vreshtat e njohura mirditore, si ato të Bukmirës.  Në mes, një shumëllojshmëri recetash mishi, duke filluar nga mishi i derrit me lakër,  ku mishi skuqet me lakrën e bardhe dhe rrepat, deri sa të ziejë. Ose tava me spinaq, mëlçi të bardha dhe djathë të bardhë: pasi skuqet qepa e njomë bashkë me mëlçitë dhe spinaqin e prerë hollë, piqet në tavë ku i shtohet djathi sipër.

Pula nuk mungon në tavolinat mirditore. Nga të gjitha recetat, më e veçanta duket pula me domate dhe kos,  ku pasi skuqen domatet e prera dhe hudhra e njomë, hidhet kosi dhe erëza të ndryshme, kaurdisen dhe hiqen nga zjarri, dhe ne fund shtohet mishi i pul­ës të zier, dhe piqet për pak minuta në furrë. Një ëmbëlsirë tipike është edhe ajo që quhet “bukë me fiq të thatë”: hapet fiku dhe thahet 2 javë, mblidhen fiqtë bashkë, përgatitet në formë kulaçi dhe lihet një javë tjetër. Banorët e Kurbinit pohojnë që këto “bukë” mund të zgjasin edhe dy vite.

Edhe pse pjatat mirditore janë përgjithësisht të thjeshta dhe familjare, kjo nuk ka penguar kuzhinierë me përvojë dhe të njohur tashmë edhe ndërkombëtarisht, si përshembull Altin Prenga, që të propozojnë në restorantin e tij një recetë e vjetër sa koha, si ajo e mishit të kecit mirditor të gatuar në qumësht, që ka mahnitur kritikët gastronomik  të huaj.

 

 

Kalaja e Judejve

Ndodhet në majën e një kodre shkëmbore  në jug të qytetit të Rubikut. Sipërfaqja e plotë e këtij fortifikimi shkon rreth 700 m2 dhe ka një planimetri të çrregullt. Sot ruhen vetëm pak fragmente muresh si dhe një stere uji brenda mureve rrethuese. Ky fortifikim i përket periudhës së antikitetit të vonë.

Piktogramet e Rubikut

Jo me larg se 250 metra nga Kalaja, në një guvë prej shkëmbinjsh gëlqerorë gjenden në një zgavër goxha të madhe disa piktogramë  të realizuar në faqe shkëmbi nga një material ngjyrë qumështi pak në të verdhë. Sipas arkeologut Myzafer Korkuti, i cili i ka gjurmuar i pari këto mbishkrime, ato i përkasin Paleolitit të lartë (rreth 12,000 vjeçare). Piktogramet ndodhen në një lartësi 1.5 m  nga niveli i dyshemesë së guvës.

Kisha e Shëlbuemit

Ky objekt religjioz me rëndësi të madhe për historinë katolicizmit shqiptar ndodhet mbi një kodër shkëmbore në qytetin e Rubikut. Kompleksi madhështor daton shekullin XII-XIII, dhe me siguri dimë që ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272. Vlerë unikale e saj janë afresket, si dhe pikturat murale të stilit bizantin. Godina është monument kulture dhe paraqet interes  në aspektin ndërtimor dhe arkitektural. Kisha e Rubikut ka shërbyer si abaci benediktine dhe kuvend françeskan. At Shtjefën Gjeçovi qëndroi dhe shkroi në kolegjin e Kishës së Shelbuemit pjesë nga vepra e tij e famshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Diku, në një gur të këmbanores, ai ka gdhendur edhe emrin e bukur Mirditë. Këtu, qëndroi dhe ndërtoi absidën e kishës edhe Gjergj Fishta, i cili shkroi këtu fragmente nga tragjedia e tij “Juda Makabe”. Në vitin 1967, me dëbimin e françeskanit të fundit, At Leon Kabashi, u shua një nga tempujt historikë më të moçëm të Shqipërisë. Arkivi, biblioteka, pikturat murale aq të përmendura dhe reliket degraduan, mbeti në këmbë vetëm godina e kishës: këmbana nuk mblidhte më ithtarët por punëtorët e fabrikës. Pas rënies të regjimit komunist, kisha është rikthyer misionit të saj fillestar dhe mbledh besimtarë të shumtë, sidomos gjatë festës së Shelbuemit.

 

Rubiku

Rubiku është qyteti i dytë i Mirditës pas Rrëshenit, me rreth 8 mijë banorë. Pasi kalon Urën e Milotit, hyn në luginën e bukur të Fanit, ku shfaqet Kisha e të Shëlbuemit, vendosur mbi kepin e bardhë të Rubikut, njëra ndër më të vjetrat dhe më të rëndësishmet monumente të kulturës kombëtare, e cila daton të jetë ndërtuar tej vitit 1200. Përtej kishës së famshme, Rubiku është qendër e vjetër historike me disa monumente të mesjetës, si kalaja e Judejve etj. Rubiku hyri në histori për kuvendin e mirënjohur benediktin, deri në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, ku emri i këtij qyteti u lidh me nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Para 1990-ës ka qenë një nga qytetet industriale më të njohura të vendit, dhe qendra më e rëndësishme e industrisë së bakrit në Shqipëri. Mbi qytetin e vjetër u ndërtua qyteti i ri i minatorëve, metalurgëve dhe gjeologëve. Në shekullin e kaluar, të parët që zunë vend këtu qenë minatorët, në vitet `30-të të shekullit të kaluar,  kur nisën punimet në minierën e bakrit prej një firme italiane. Më pas, aty u ndërtua Uzina e Përpunimit të Bakrit (shih skedën përkatëse), që siç pohojnë specialistët e industrisë, ishte njëra ndër katër më të zgjedhurat në Evropë. Sot, kjo uzinë nuk është gjë tjetër veçse një varrezë hekurishtesh, edhe pse oxhakët e saj akoma të impresionojnë. Në Rubik ka patur ndërmarrje gjeologjike, ndërmarrje të ndërtim minierave etj.

Skedë: Uzina e bakrit në Rubik

Qyteti i Rubikut ka  lidhur emrin dhe vetë ekzistencën e tij moderne me mineralin e bakrit dhe industrinë e tij. Përpunimi i tij njihet qysh në lashtësi madje vetë emri “Rubik” mendohet se është i lidhur me fjalën latine  rubicundus që do të thotë pikërisht “me ngjyrë të kuqe”, që kujton dukurinë e oksidimit të mineraleve bakërmbajtëse, që  duke u tretur në ujërat rrjedhëse dëmtonin të mbjellat dhe bimësinë e zonës. Mjeshtëria e përpunimit të bakrit nga fisi ilir i Pirustëve u la në harresë. Vetëm në fillimet e shekullit të kaluar disa eksploratorë dhe gjeologë të huaj nisën të interesoheshin për pasuritë nëntokësore që flinin prej mijëra vitesh në nëntokën e Rubikut e të Mirditës.

Në fillim vitet 30-të disa specialistë italianë hapën minierën  e parë të bakrit në Rubik dhe më pas në Derven. Banorët e Rubikut u bënë metalurgët e parë të cilët në kushte shumë të vështira dhe pa shkolla të posaçme përvetësuan profesionet e minatorit, të shkrirësit dhe të rafinuesit të metalit të çmuar të bakrit. Lufta bëri që kjo industri e sapofilluar të mbyllej përkohësisht. Shpejt, menjëherë pas përfundimit të luftës, pushteti i asaj kohe  u interesua për shfrytëzimin e pasurive të nëntokës. Pas ndërprerjes gjatë Luftës së Dytë, në vitin 1946 rifilloi puna me rikonstruksionin e furrës, rihapjen e minierës së Rubikut dhe të Dervenit. Një teleferik me gjatësi disa kilometra sillte mineralin e nxjerrë në Derven në fabrikën e Rubikut. Kështu minerali përmes disa proceseve dërgohej në repartin e konvertimit, ku përfitohej bakri blistër me një përmbajtje mbi 99 % bakër, i cili deri në vitin 1965 derdhej në kallëpe me peshë 35-36 kg. Pas ngritjes së dy uzinave të tjera të shkrirjes në Kukës e Laç si dhe Uzina e telave dhe kabllove elektrike në Shkodër, i gjithë bakri i nxjerrë nga nëntoka përpunohej me cikël të plotë brenda vendit.

Në vitet ’80  të shekullit XX punonin në fabrikë rreth 800 punëtorë. Rubiku ishte vendndodhja e  një nga ndërmarrjeve gjeologjike më të mëdha të vendit që punësonte me dhjetëra specialistë të lartë si inxhinierë, ekonomistë, mjekë, mësues etj… Në qytet, që numëronte në ato vite rreth 5 mijë banorë, funksiononte një shkollë e mesme industriale ku mësonin disa qindra nxënës, dhe zhvillohej një jetë e pasur artistiko-kulturore. Pas viteve ’90, industria e bakrit rreshti pothuajse totalisht aktivitetin e saj, dhe nga ndërtimet gjigande të dekadave të kaluara kanë mbetur vetëm disa gërmadha, po aq madhështore dhe që mund të përbejnë subjekt atraktiv për të interesuarit e të ashtuquajturës arkeologji industriale.

 

You are donating to : Greennature Foundation

How much would you like to donate?
$10 $20 $30
Name *
Last Name *
Email *
Phone
Address
Additional Note
Loading...